10/07/2023
Të nderuar fermerë,
Jemi në prag të fillimit të procesit të korrje-shirjeve, pasi që jemi në kohën e pjekjes së drithërave të bardha. Nisur nga rëndësia që ka procesi i korrje-shirjeve të drithërave të bardha, është shumë e rëndësishme që gjatë kësaj kohe të jeni në kontakt të vazhdueshëm me komisionin për korrje-shirje me qëllim të koordinimit sa më të mirë për monitorimin e këtij procesi.
Duke marre parasysh ato që u thanë më lart, ne ju ftojmë të mobilizoheni dhe të bashkëpunoni ngushtë me komisionet komunale.
Me qëllim të koordinimit sa më të mirë të punëve, MBPZHR ka mbajtur takimin e përbashkët me përfaqësues të Drejtorive Komunale për Bujqësi dhe përfaqësues të Shoqatës së Mullisëve. Në këtë takim është diskutuar lidhur me parapërgatitjet që janë bërë për fillimin e procesit të korrje-shirjeve, si dhe mbarëvajtjen e tërë këtij procesi.
Andaj, Shërbimet Këshillimore të Kosovës për Bujqësi dhe Zhvillim Rural ju ftojnë që të bashkëpunoni ngushtë me komisionet komunale për korrje-shirje, si dhe me këshilltarët për bujqësi dhe zhvillim rural në komunat tuaja që të konsultoheni rreth kohës optimale për korrjen e grurit tuaj.
Pra, keni kujdes mos filloni me korrje para pjekjes së plotë të grurit, pasi që do të ketë humbje të grurit dhe ndikim në ulje të rendimentit mesatar, si dhe pikat grumbulluese nuk do ta pranojnë grurin nga fermerët nëse lagështia e grurit nuk është brenda normave optimale (12 -13 %).
Ku mund të këshilloheni për kohën optimale të korrjes?
Nga informatat që kemi nga tereni përmes këshilltarëve në Qendrat këshilluese komunale për Bujqësi, përqindja e lagështisë është akoma e lartë mbi normat optimale 12-13 %, andaj ju rekomandojmë që të jeni në kontakt të vazhdueshëm secili në komunën e vet me këshilltarët komunal.
Ju njoftojmë që mund të drejtoheni në Qendrat Informative Komunale për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, secili në komunën e vet tek këshilltarët komunal që koordinohen me Departamentin për Shërbime Këshilluese.
Këshilltarët janë të pajisur me njohuri dhe janë në kontakt të vazhdueshëm me komisionet komunale për korrje-shirjet. Ata do të ju ndihmojnë në përcaktimin e kohës optimale, si dhe informata tjera të nevojshme për ketë proces final dhe mjaft të rëndësishëm të grurit.
Për informata shtesë dhe çdo gjë që lidhet me këshillat mund të drejtoheni në:
Departamenti i Shërbimeve Këshillimore dhe Teknike, MBPZHR
Rr. “Ukshin Hoti”, ndërtesa e ish Ramiz Sadikut, Nr. 120 Kati III, Prishtinë – Kosova
Tel. 383- (0)3820038426