Krijuesit e Nenshkodres

Krijuesit e Nenshkodres Contact information, map and directions, contact form, opening hours, services, ratings, photos, videos and announcements from Krijuesit e Nenshkodres, Shkodër.

23/01/2024

FRAGMENT PREJ LIBRIT " NJE JETE NE ANKTH E SHPRESE", ( mbresa e kujtime )

SHQIPËRIA, SHTETI I PARË LAIK NË BOTË

“Ma mirë me kjanë nji kshtenë birij nji Turku se me kjan nji Turk, birij nji t’kshtenit, po sikur me thanë, ma mirë me kjanë nji lua, i birij nji lepuri se me kjanë nji lepur, biri nji luani.” PJETËR BOGDANI

Viti 1967 filloi më i furishëm për revolucionarizimin jo vetëm të partisë komuniste, alias e punës, por të gjithë jetës së vendit. Në ato ditë të mbrapshta të atij viti njellakeq, nxorri krye hapur ideologjia komuniste e shtetit pa fe, një rast unikal në të gjithë shoqërinë njerëzore. Në paganizëm, vertetë njerëzit nuk besonin në një perendi të vetme, por, ama besonin diku në objektet e natyrës, d.m.th. i quanin të shenjta e duheshin respektuar, ndërsa në Shqipëri njeriu u kthye në shtazë pa ndergjegje.
- Revolucioni, - shkruante Dostojevski, - niset gjithmonë nga ateizmi.
Këtë gjë, me sa duket, komunistët trutharë shqiptarë e dinin nga rusët, por pritnin motin e shtatë (numër biblik, shenimi im) të viteve gjashtëdhjetë, t’i futnin nën thundrën e hekurt të mjerët shqiptarë, t’u hiqnin gjënë më të shtrenjtë, besimin . Për shqiptarët që kishin kaluar travaje të shumëta në religjone, nuk ishte diçka e padëgjuar. Postulati “ Çohu, prift, të ulet hoxha!”e kishte bërë punën e vet përgjatë 500 viteve të pushtimit turk, po, se do t’”ulnin”kokëposhtë kompanjela kishash e minare xhamishë, kjo s’i kishte shkuar ndërmend askujt.
Kushedi çka kishin menduar komunistët… Mëqë atë regjim gjakatar e përfaqësonin më tepër myslimanët sipas proporcionit matematik, ndoshta Enver Hoxha me lakejt e vet, donte të maskonte qellimet e tij djallëzore që, me një gur të zhdukte katolikët për të cilët kishte filluar persekucionin e tyre fill pas çlirimit, e me një grusht t’i trembte myslimanët që i kishte rreth e rrotull. Ndoshta, atyre ua luante syrin “burrërisht” majtas e djathtas, e ata, në heshtje, kishin pranuar të “sakrifikonin” fenë… Ata, duhet të kenë menduar se pa fenë e t’parëve të tyre katolikë, ishin se ishin, prandaj t’ua hiqnin krenarinë kombëtare “katalikëve”. Mandej, ishte edhe një mundësi tjetër, e mejtuar nga hoxhë Enveri, sheh Mehmeti, myfti Manushi e haxhi Lleshi ( të gjithë anëtër të Borosë Politike të Shqipërisë, (shenimi im) shqiptarët për fe, le të besonin te “hoxha”, “shehu”,” myftia” e” haxhia”, të bëjnë dua e hosana natë e ditë për ‘ta.
Në fjalimin e tij , të bracuar në librat e pluhrosur marksist - leninist, me 6 shkurt 1967, Enveri u mundua të tregonte se lufta kundër shtypjes e shfrytëzimit, fillon me luftën kundër fesë. Sipas specialitetit të tij , mashtrimit, të mësuar në shkollat e socialistëve bashkëkohorë, mbylljen e institucioneve fetare e donte vetë populli!
- Qysh në bankat e shkollës, - tregon Vedat Kokona, bashkëstudent me diktatorin e ardhshëm shqiptar, - Enveri ishte mediokër, sepse, kur pedagogu e pyeti anglisht se cila është një shtazë që i ngjet më shumë njeriut, ai ishte përgjigjur “donkey”= gomari, në vend që të përgjigjej: “monkey”= majmuni.”
Enveri i paskësh qenë afruar qysh atëherë së vërtetës që partia e shkroi më vonë me shkronja të mëdha, “krijimin e njeriut të ri”, d.m.th diçka njeri e diçka gomar.
Revolucionin kundër fesë partia – shtet e filloi, jo pa qellim, duke u nisur nga “dëshira” e disa nxënësve të një shkolle të mesme në një fshat me emër shenjti katolik, “Shën Vlash” i rrethit të Durrësit.
- Kur banorët e atij fshati me emër shenjti, pranonin zhdukjen e fesë, d.m.th se ishte diçka që shqiptarët e tjerë, duhej ta pranonin apriori dhe të mos tregoheshin më të shenjtë se Papa, - gugësonin shefat e “axhitpropit” shqiptar.
Në fakt, revolucioni antife te ne, filloi sipas markës allakinezçe “Revolucioni kulturor”. Qysh në vitin 1966 në Kinë kishte dalë një ideolog me emrin Lin Biao. Atje, në Kinën e lashtë, ishin organizuar të gjithë halabakët verdhacukë për të zhdukur kulturën me vlera botërore të vendit të tyre. Ajo poshtërsi u propogandua atje përmes disa fletushkave të quajtura: “Decibao”.
Ato ditë të vitit 1967, shumë priftërinj u pyetën pas arrestimit se ç’mendime kishin për fjalimin e 6 shkurtit që e kishte mbajtur Enveri. Një nga klerikët, që ka jetuar për të “dëshmuar”, At Zef Pllumbi, shkruan se në hetuesi e kishin pyetur:
- Zef, të pyes për herë të fundit: si e konsideron ti fjalimin e 6 shkurtit?!
- … Krejtësisht i gabuem.- Gjykimi i saktë do të vijë pas 30 vitesh, por unë them se do ta denojnë një herë e përgjithmonë.
Koha e mëvonshme tregoi “profecinë” e At Zefit.
Pas përjargieve të Enver Hoxhës, me 7 shkurt 1967, u botua në “Zëri i popullit”, organ katërfaqesh i diktaturës komuniste, fjalimi i plotë me titull: “ Revolucionarizimi i mëtejshëm i partisë dhe pushtetit” që ishte mbajtur një ditë më parë. Me 27 shkurt 1967, Komiteti Qendror i Partisë së Punës, shperndau nëpër komitetet e partive në rrethe, urdhërin e luftës, po pa armë, kundër fesë e zakoneve prapanike. Gjithçka ishte e parapërgatitur qysh në Kongresin e Pestë të Partisë. Kishin filluar, sipas shembullit të “decibave” kineze vënia e fletë – rrufeve vend e pa vend, por gjithmonë me shkronja të mëdha kapitale e të dukshme nga masat, si kishte dëshirë partia ta quante popullin. Nëpër tabela kompensatoje e llamarine, në stenda repartesh ushtarake, në “Gazeta muri” të shkollave, “Në kënde emulacioni” të ndërmarrjeve shtetërore, mbinin si kërpullat majë plehu fletë – rrufe me gjithfarë marrinash paranojake. Në krye të tyre shkruhej:” Cilido, pa frikë e me shkronja të mëdha, të shkruaj çfarë mendon për vehten e të tjerët. ENVER HOXHA”.
Ishte fjali e shkëputur nga fjalimi i Luciferrit me 6 shkurt të vitit 1967. Më kot mundoheshin të qendronin religjonet fetare, veçanarisht ai katolik. Pikësynimi kryesor ishte katolicizmi, ai duhej zhdukur, sepse predikonte antikomunizëm. Përmes fjalëve të një meshtari katolik, dom Simon Jubani marrim vesh se i paskësh thënë një farë Bedri Spahiu, ish funksionar i lartë i nomenklaturës socialiste, por i burgosur me të, që shteti shqiptar ka qenë i udhëzuar nga Titoja që në vitet e para të pasçlirimit ( kupto mjerimit komunist, B.S) se, po të donte të vendoste regjimin komunist, duheshin zhdukur fizikisht priftërinjtë dhe institucionet fetare katolike.
Vertetësinë e atyre pohimeve të Bedriut e përforcojnë edhe shkrimet e mëvonshme të E.Hoxhës, në librin “Shenime për Kinën” ku thotë: “E vërteta është se “Kurani” është më i plotë dhe më i pastër se “Bibla” e hebrenjve dhe “Ungjilli” i të krishterëve.”
Kjo tregon se hoxhë Enveri nuk ishte “ateist” si e mbante vehten, por fondimentalist islamik me kokë e bisht, kamikaz i religjoneve e i popullit të vet . Pak para vdekjes, në një karrocë invalidësh që ia shtynte e shoqja makbethiane, Nexhmia, e shohim “sheik” Enverin të gjezdisë ndenjur në furrik me një kapuç simbolik allaislamik me antenë të ngritur drejt qiellit ku shpresonte të shkonte “i penduar”…
Në shtypin periodik filloi të shkruhej mbarë e mbrapësht për “ sukseset”e pandalshme të rinisë për mbylljen e kishave e xhamive, shkatërrimin e thyerjen e kryqeve të të vdekurve nëpër varre, dhunimin e vendeve të shenjta, izolimin e ndonjë meshtari a hoxhe, diskriminimin e besimtarëve para popullit, etj.
Motoja e komunistëve dhe e një pjese të rinisë, “vepra më e shkëlqyer e partisë”, ishte bërë postulati i Marksit që thoshte: “ Feja është o***m i popullit, është zemra e një populli pa zemar.”
Edhe ne mësuesve të fshatit Palush, ashtu si në mbarë vendin, na e futën tharmin antife, na mbështollën me postiqen e organizatës së partisë në fshat. Përmes mikrombledhjesh kohë e pa kohë ( partiakët atë punë kishin) ku na servirnin libra xhepi e broshura me citate të klasikëve e Mao Ce Dunit, na mobilizuan e kërcënuan që të përgatitnim një shfaqje për ta dhënë në fshatin Gjegje. Duket ishte më fanatiku e më fetari i lokalitetit. Edhe në Palush kishte xhami, po “kuadrot partiakë” ishin më shumë nga ky fshat, prandaj gurin e provës së madhe e ndërmorën në një fshat tjetër, që të shihnin reagimin e popullit me qellim që të merrnin masa paraprake që t’mos u nxihej fytyra e vrugnueme para partisë e shtetit në Kukës e më gjërë.
Ne mblodhëm nëpër revistën: “Estrada popullore”, ku shumë pseudokrijues botonin pamflete, skica humoristike, skeçe, melodrama, krijimtari folklorike antife dhe ua dhamë nxënësve për t’i mësuar. Në ‘to morëm pjesë edhe ne mësuesit të kthyer kush me veshje prifti, hoxhe, imami, me xhybe, me valadon, të gjitha hukubete të improvizuara këmbë e në dorë, mjaftonte të nxirrnim të shëmtuar portretin e klerikëve. Ma merr mendja se ishin veshjet më origjinale të përshtatshme për karnevale. Ato ditë, gjithë paraditet, me urdhëra nga lart e zbatim nga poshtë, nuk bënim fare mësim, po prova, prova edhe pasditeve në dritë të pishës e të bishtukut, se korenti elektrik s’kishte ardhur. Lodrat, curlet, dajret e zumaret tingëllonin e të shurdhonin pa prā. Një nxënëseje të mirë në mësime, mbështjellë me dy metër dimi, mbuluar në fytyrë me shami, mbathur me opinga majuce llastiku, i dhamë të recitonte poezinë:


- Sot ka lind një diell i ri,/ Për ne vajzat në Shqipni,/ Rrofsh, parti trime me fletë,/ Vuajtjet tona na i ke heq! Zotim gjithë fshati ka marrë,/ Zjarm me i dhanë zakonit t’parë,/ Dhe na gratë, me pas liri,/ Mos me u sh*tun si bagëti./ Me gëzim sot po këndojmë,/ N’kooperativë sbashkut punojmë,/ Do ngremë fshatin e ri,/ Rrofsh për jetë , o nanë parti!/


S’mund të zgjidhnim asnjë krijim letrar ku t’mos permendej partia. Vetëm pas shqiptimit të asaj fjale “magjike” krekoseshin e shkokloheshin komunistët. Na shikonin me bisht të syrit se si reagonim. Vetëm kur ne duartrokitnim, u mbushej mendja se e kishim me gjithë mend. Duhej të ishim shumë të kujdesshëm, se vetëm buzëqeshjet tona i bënin të dyshonin.
Një djali që kishte mbetur disa vite në klasë të shtatë, por që s’mund ta lejonte drejtoria të rrinte në shtëpi, mëqë arsimi 8 – vjeçar ishte i detyruar, i dhamë të këndonte një këngë për fenë:
S’na vlen feja n’ditët e sotme,/ mjaft për fyti na ka kap,/ Të gjithë jemi vëlla e motër,/ Kleri hedh grindje ndër ne./ E ngatërroi n’Shqipni çdo vatër, / Tue hedh helm, fshehur në fe./
Këtë farë kënge e kishte nxjerrë në Bushat të Shkodrës një farë N. Temali, dukagjinas i rënë vonë në fushë, po që ishte rapsod “origjinal” i atyre bejteve malësore që thureshin rreth zjarrit me kashta luledielli pranë vatrës fshatare, të varfër, por “të lumtur”.
Për në xhaminë e Gjegjeve, përgatitëm këngën e një rapsodi nga Shkodra, që e mbante veten për poet. Fjalët e asaj bejte thonin: “ Çallma ime, xhypja ime,/ vetëm po ju la,/ Në xhami mbahen fjalime, / me u fal nuk lanë ma./ Tash po vjen Bajrami ( festa, shenimi im)/, ai mos pritët me ardhë,/ Hoxhë, a t’vjen zani/ Mor gomar i madh?!/ Çallma ime, xhybja ime…etj.etj.
Ditën, pas fjalimit të 6 shkurtit 1967, aktorët amatorë nxënës e mësues u mblodhëm te vatra e kulturës afër shkollës, ngjtur me një shtëpi dykatëshe të vjetër, duke rënë brenda.
Në krye printe përgjegjësi i vatrës së kulturës që ishte dhe sekretar partie për fshatin, Z. Gjici. Pas tij vinte një fshatar gjatosh, kokëbosh, flokëshpupurishur e i pakrehur. Ai mbante në duar dajakun e gjatë të një flamuri shqiptar me shkabën dykrerëshe, sipër së cilës , verdh si çapini shkelqente ylli pesëcepësh.
Të bindur në suksesin e atij mikrorevolucioni me curle e dajre, ecnim përkrah Gj. Kazës, sekretar i byrosë së partisë për lokalitetin, drejtori i shkollës shtatëvjeçare, Myftari dhe kryetari i lokalitetit, S. Tola? ( S’jam i sigurtë,B.S.).
Me hap pleqërishte, pas nesh ecte “indiferent” kryetari i bashkimeve profesionale, shoku H. Bajraktari. Dinte të manovronte Polikroni. Ne shkonim si cjapi te kasapi, pa ditur gjë. Hamiti kishte pas ditur gjithçka. Nejse, fëmijët shend e verë, sikur po shkonin në piknik, vraponin kush e kush të mbërrinte i pari në oborr të xhamisë, a thua se do t’u jepnin myzhde. Këndonin me zë të lartë këngën: “ Fatosa, pionierë, në shkollë sot vazhdojmë,/ Prap nesër kur të rritemi,/ miq e shokë do të jem./ Kështu të bashkuar,/ një qellim do të kemi,/ Atdheun ta forcojmë,/ Ta mbushim plot me të mira,/ Me krahët e partisë, do të bëjmë çudira./ Kështu komunizmin, ne do ta ngremë,/ Shokë e miq do të jem.../
Fjalët e asaj këngë i kishte nxjerrë, T. Papuçiu, ndërsa muzikën, Tonin Harapi nga Shkodra!
Hap nga një hap iu afruam oborrit gjithë ferra gomerësh e shkurre të neveritshme pa formë të xhamisë pa minare. Muret e zeza e të shtrembëra të saj, të jepnin përshtypjen njellakeqe se po shembeshin. Kushedi prej sa kohësh nuk ishin zbardhur me sherbet gelqereje. Ishte në pikë të hallit. Duket, fshatarët, e kishin ruajtur të paprekur virgjërinë e asaj xhamie të thekur në diell që në kohë të turqve.
Kuadrot e partisë, ndejshëm për shtatë palë qejfe bisedonin e ndërronin kuti duhani pa kurrfarë ndrojtjeje duke pritur hoxhën e fshatit që të vinte e t’u dorëzonte vullnetarisht çelësat. Ajo pritje si në një kortezh mortor, nuk zgjati shumë.
Si cunam malor, një turmë e papërmbajtur fshatarësh, mberthyer me këmesa, kosore, shetër e lopata, me idhnim që veç sytë e egër të një bishe mund t’i kishin, u sulën drejtë fëmijëve të vet. Ishin një turmë e pamend. Fëmijët, të zënë në kurth, lebetiteshin e iknin kaçubë në kaçubë pa e parë i pari të dytin. Përzimllek të atillë vetëm nëpër librat për kryengritjet e Jan Husit kisha lexuar. Gratë, që kishin marrë vesh me kohë organizimin e fshatarëve, ia behen turr e vrap duke thirrë emrat e fëmijëve të vet. Gra plaka, gërmuqe me dimi, kokëmbështjella me çarçaf, vajtonin e betoheshin për Allah e Pejgamer. Fshiheshin pas shkurreve me instingtin e tyre për të mos rënë në sy të burrave dhe shtërngonin me njërën dorë çarçafin e me tjetrën tërhiqnin zvarrë vogëlushët e pafajshëm që s’merrnin vesh psenë.
Dy policë, me të plotfuqishmin në mes, pa e çarë kokën për turmën e çatrafiluar, qeshnin me marrinë e tyre. Ato ishin të bindur se e kishin të fituar betejën me atë turmë të çorganizuar që bertiste si bagëtitë në gjak. Pleq, të rraskapitur nga jeta, nxirrnin kakofoni të pakuptueshme e zvarriteshin duke tundur kryet futur midis shpatullave . Ishin të irrituar, po të përmbajtur nga frika e shtetit. E kishin provuar forcën e tij qysh në çlirim, ku një pjesë e tyre kishin ngrënë dajak të palatuar në Kolosian ku vetë Mehmet Shehu kishte bërë kërdinë në ‘to apo pushkatimet pa gjyq të dhjetëra fshatarëve në Buzëmadhe nga komandant Shefqet Pëçi.
Ne mësuesit, gjoja se po frenonim fëmijët, këmbë nga një këmbë kishim filluar të zbytheshim. S’na kishte hedhur njeri trutë e gomarit që të hanim në kokë ndonjë hû mullari. Gjithë ky hukubet bëhej në qiell të hapur, një skenë e denjë për dramat shekspiriane. U “mundëm”, por fitorja e gjegjasve ishte e përkohshme, sepse parti – qeveri – polici, tercina danteske, bëri formalitetet e veta “bindëse” me krerët e mikrorevoltës.
Të nesërmën urtë e butë hymë në xhami. Komunistët e kishin marrë kalanë nga brenda. Askush s’bëzante, askush s’shau, por duartrokisnin shfaqjen që i fyente e shante në ndjenjat e tyre shekullore. Ishte “bindja” që diktatura përdorte pas kuintave. Të rrihte, po s’të linte të qaje.
Sapo mbarova pjesën që duhej të demonstroja, këmbë nga një këmbë u tërhoqa me disa nxënës.
Ajo xhami në Gjegje u kthye në magazinë. Do Zoti e ma ka falë atë herezi fetare e blasfemi ndaj fesë, xhamisë, hoxhës e priftit. Ishin kohë të vështira.
Pas asaj ngjarjeje ku morën pjesë edhe të rinj nga Jugu, dy mejreme nga Kavaja, aksioniste “vullnetare”, njëra nga të cilat pati thyer këmbën, jeta në fshat “u gjallërua”. U gjet “e keqja” e përbotshme, feja…
Forcat e sigurimit shkonin e vinin vazhdimisht në atë zonë. Nuk ishte dhe shumë afër kufirit me Jugosllavinë, po s’di pse.
Një operativ sigurimi vinte e rrinte me ne. E kishte emrin E. Ramollari. Qeshnim e luanim si pa të keq, por ai kishte qenë gacë e mbuluar, një dreq,.
Ato vite, nuk më kujtohet saktë se kur, sollën te shkolla jonë nga Skavica një mësues gjuhë – letërsie. E kishte emrin Sh. Gjana. Ishte nga Gjabrrica a Bicajt e Kukësit. I hequr në fytyrë, eshtak pa gjak, po energjik në të folur e forcë arsytuese. Ai e kishte pasur hafijën pas, po ne vonë e morëm vesh. Se ç’përzimllëk a pakënaqësi zhvilloheshin në qytetin e Kukësit, ne të provincave malore, s’merrnim vesh. Ishim si në një ishull të paeksploruar. Shevqeti luante shah mirë, por, atë natë që po përshkruaj, s’e kishte fare mendjen te loja. Dy – tri net përpara na thoshte se shkonte te të afërmit në Buzëmadhe, po ai tjetërkund e paskësh pasur qellimin. Ndoshta të arratisej. Për fat s’na e kishte hapur zemrën, se...
Në një mëngjes heret, sapo kishte zbardhur, e thirrën Shevqetin poshtë në katin e parë të një shtëpie rrangalle të braktisur ku flinim ne. “ N’emër të popullit “, e kishte arrestuar “shoku” ynë me policët që ishin në lokalitet. Këtë na e tha vetë Emriu që kishte kryer detyrën, por ne na u neverit.
Atë ditë e pas, unë do të kisha kujdes që të mos i besoja askujt sa çonte miza me krah. Madje, një shok nga Tirana, shpesh më thoshte se i dukesha si prift asket e skolastik. Përveç punëve të shkollës, asgjë s’flisja. Shevqetin, më duket, e denuan me shtatë vite heqje lirie. Sipas të thënave, kishte marrë pjesë në një grup antipushtet, që vepronte në Kukës. Më duket se ishte dhe një farmacist, një fizarmonicist e ku di vetë. Kam pasur frikë t’i mendoja, jo më të dija më shumë për ta. Atë ditë e mbrapa, Sh. Gjanën s’e kam takuar më.
At Konrad Gjolaj, në veprën e tij, “ Çinaret” shkruan: “ … operativi ka të drejtë me dyshue, me përgjue, me ndjek, me vështrue apo “vigjelue”, me akuzue, me t’pushue prej punet, me t’largue prej shkollet, me krijue me menden e tij “grupe antipushtet”, me zbulue ata, me t’burgos, … me t’internue, me t’debue, me t’zhduk dynjajet dhe mos me i dhanë llogari kerkujt.” 13 )
Arrestimet e përndjekjet, sidomos të klerikëve katolikë, morën përmasa të mëdha. S’dëgjohej e shkruhej gjë tjetër, veç arrestime, internime, ballfaqime, diskriminime në sy të popullit që t’i thirrte mendjes.
Priftërinjtë ishin intelektualët e vërtetë që kishin mbaruar shkollat në Perendim, po truri i tyre u burgos e asgjesua fizikisht. Forcat më përparimtare të kombit tonë ishin dispruar e marrë fund gjithçka.
Intelektualë liliputë, që kishin bracuar krijimet, flisnin pa pra kundër tyre, i diskriminonin e akuzonin për krime të pabëra vetëm e vetëm që t’u vidhnin veprat shkencore, të bënin plagjiaturë, të merrnin honorare të pamerituara ose leje “krijimi” për të masturbuar nëpër arkiva ku ishin grumbulluar vepra të gatshme shkencore.
Pas një viti, kur u shembën institucionet fetare, e më pas dolën me vandakë “vepra” shkrimtarësh pa vepra, si: “Akuzojmë fenë”, me autor një farë “profesori” ateist i paskrupull, Hulusi Hako që jepte në Universitetin e Tiranës “Ateizëm shkencor”, lëndë e shpikur në kulisat marksiste – leniniste. Në vitin 1969 doli libri “shkencor” i Ragip Beqja, “Veprimtaria antikombëtare e klerit katolik shqiptar”. “Disidenti” i viteve ’90 , Skender Drini për qejfin e kodoshëve të komitetit të partisë, shkroi romanin fantastiko – rrenacak, “Shembja e idhujve”, ku mashtron për gjoja ngatërresat që dom Lazri shpikte në malësi e nxiste vëllavrasjet atje, në një kohë kur dihej se meshtarët e atyre anëve vetëm kanë pajtuar në emër të fesë shumë gjaqe. “ Gjurmët të çojnë në qelë” do të botohej në vitin 1969 me një numur marramendës kopjesh, 12 000, me autor Ilo Bodecin.
S’kam ndërmend të merrem me ‘to, se s’ia vlen t’i përmendësh, mëqë ishin si t’i kishte shkruar një dorë tuli që e drejtonte një kokë me tru të tredhur. Nuk e kuptoj se si, sot ata autorë që jetojnë, nuk dalin e publikojnë hapur se kanë qenë të detyruar të shkruanin ashtu që t’i qetësojnë shpirtërat e fëmijëve të tyre të pafajshëm.
Profesori i filozofisë në Institutin e Shkodrës, Arif Gashi do të botonte “veprën” sa një shtupë letre, “Parajsa dhe Ferri”. Një mësues historie, që pjesën më të madhe të ditëve të javës e kalonte dejshëm, që spekulonte në “Muzeun ateist” të Shkodrës, shkroi “veprën” postulat : “ Muzeu i Shkodrës”. Sipas tij, atë na e paskëshin vizituar e vlerësuar nga ana shkencore shumë turistë nga vendet aziatike, si: Sudani, Birmania, Kamboxhia, Togas, India, Guajana, Kuvajti, Maroku, Bangladashi, Senegali, Siria, Zimbab etj.

Tituj librash kundër fesë.

Që të gjithë vizitorët ishin nga vendet islamike, mbushur me kamikazë që gjeneronin e janë shperndarë si hithra në gjirizet e gjithë botës.
“Veprave” të mësipërme u doli kallaji më vonë, ku njerëz që i kishin jetuar ato kohë, pohuan se çdo gjë kishte qenë mashtrim e rrenë me bisht.
Gjatë orëve të mësimit, ne mësuesit ishim të detyruar të shpjegonim e bënim punë “edukuese” antife. Pati edhe nga radhët tona që u shtamposën sipas ideve “moderne” të kohës. Filloi shkombëtarizim i çdo gjëje kombëtare, si: veshja tradicionale sipas krahinave u bë uniformë “ushtarake”ç gratë me tuta të lidhura me llastik në nye të këmbës e me shami në kokë, hukubet t’i shihje si kukuvaca vrarëlije.
Për të përuruar kthimin e xhamisë së Palush*t në ngrehinë pa vlerë, magazinë kooperative, erdhi nga Kukësi trupa e esdradës së qytetit që e drejtonte muzikanti virtuoz, Zef Gruda për të cilin thonin se i kishte bërë disa vite burg politik. Ia kishin tretë farën atje ku këndohej me curle, dajre e def me xhingla teneqeje. Në atë trupë kishte këngëtarë që e donin këngën popullore, si Ramazan Zyberi që kishte ardhur aksionist me “dëshirë” në ndihmë të zonave malore, ishte Liri Lushi, më duket, një këngëtare që i këndonte fort bukur këngët me motive lumiane. Thonin se ishte magjype, po ishte mis i vërtetë bukurie. Atë ma kujton tashti Adelina Ismaili e Kosovës. Njëra nga ato Mejremet që kam përmendur te xhamia e Gjegjeve dhe që kishte ardhur nga fshatrat e Kavajës, këndoi këngën “Kuvendon Marta me gra”, fjalët e së cilës ishin:


“ Kuvendon Marta me gra,/ burrin plak, mjerë kush e ka,/ Hall ma t’ madh nuk ka, moj motra,/ Kur sheh mortjen ndej te votra,/ Gjashtëdhjetëvjetët i ka mbushë,/ Mjekra thi e kryet ba fushë,/ Jargë për goje tuj kullue,/ N’qafë më paçin prindët mue,/ Ushton fyelli e çiftelia,/ G’zohën t’rinjtë, i th’rret dashnia,/ Zemra m’thot me shkue dhe vet,/ Moshatarët, e lumja , me gjetë…/”


Tërë vargjet e këngës mbushnin zemrën e të rejave për të braktisur familjet, për të shkuar në aksione që të hapnin toka, të bënin taraca, të shpyllëzonin kodrat e veshura me blerim të përhershëm e t’i kthenin në rrashta cubokësh të shëmtuar. Kjo këngë lirike s’kishte ditë të mos këndohej në “Radio – Kukësi”që ne e dëgjonim në radio me vajguri të policisë!
Çdo ditë të martë, pas mësimit shkonim në brigatë të lexonim gazetën, si kam thënë më lart. Zgjidhnim artikuj që flitnin për fenë, që a*o ditësh ishin me vandakë. Kur u pata thënë disa fshatarëve se Marksi fenë e ka quajtur “o***m” që të vë në gjumë, njëri prej tyre më pati pyetur:
- Kah ka kanë ki Maskri qi e p***a gjetë këtë bar’ gjumi e na s’ditkna gja me iu dhanë f’mive t’vogjel kur kajnë?!
Unë nuk e pata kuptuar aty për aty mbrapshtimin e fjalëve të emrit të Marksit as ironinë e pyetjes, po një djalë i ri ma pati shpjeguar më vonë. Fshatarët lumianë ishin shumë ironikë e flitnin me “bente” ( nënkuptime) sikur dibranët.
Flitnim për gratë, për të drejtat e tyre e për arsimimin, se përbënin gjysmën e shoqërisë shqiptare. Ishte diçka me vlera emancipimi i grave, se fanatizmi anadollak e Kanuni i konsideronte si kafshë pa kurrëfarë të drejte, mëqë burrit ia lejonte edhe vrasjen e saj në disa raste. Nuk u vinte mirë kur u thoja se në shkollë vajzat mësonin më mirë se djemtë dhe duheshin pyetur edhe në kuvende.
- Jo, bre, me qanë thuhet “Kuvend gjrashë” e jo, “Kuvend burrash”, - ma pati ngulë një thumb pambukut një nga ato fshatarët që punonte tokën me parmendë druri.
Nga Jugu i Shqipërisë sollën shumë aksioniste mësuese. Nuk di se në ç’fshat një mësuese me emrin Athina Mile u dashurua me një traktorist në malësi dhe u martuan. U popullarizua aq shumë në shtypin e kohës sikur t’ishte martuar Helena e Trojës. E gjithë propoganda ishte farsë mashtruese që të sillnin mësuese në malësi për të futur të renë në familjet e humbura, që vazhdonin jetën stërgjyshore. Pati nga ato rrezikzeza që u martuan me fshatarë nga ai vend, po nuk u puqeshin karakteret. Një pjesë u shkurorëzuan, se Kanuni e hija e tij e mbanin nën trysni gruan. Burrat u martuan për rrogën e mësueses. Ishin djelmoça të rinj, ndërsa mësueset plaka rrule që i kishin kaluar të tridhjetat. Femrat e arsimuara nga fshati, nuk pranonin të martoheshin në fshat, po “pëlqenin” burrat që prindërit ua jepnin me shkuesi në qytet. Fshati mbrapa se mbrapa mbeste. Kishte disproporcion të madh meshkuj – femra. Këto të fundit, pranonin të martoheshin me çfarëdo burri në qytet vetëm e vetëm që t’u shpëtonin punëve të rënda të bujqësisë.
Nëpër gazetat njëpartiake shkruhej për sukseset e vendit, tejkalim normash e perqindjesh, por çdo gjë ishte mashtrim allakomunistësh që ngopeshin me lugë të zbrazur. Nën moton: ”Një për të gjithë e të gjithë për një” mësynë malësinë e fushën malësorët për të ndërtuar në Lapardha (la pordha) hekurudhën. Vdiq një vajzë me emrin Shkurtë e u bë nëmi. U shkruan vargje e rapsodi, tregime e tragjedi që s’u vunë në skenë kurrë, se socializmi s’njihte humbje e vdekje veç lindje e rilindje gjithmonë të lumtura si në përrallat folklorike. U shpik edhe një farë qorri nga Jugu me emrin Fuat Çela që bënte mur e vinte tulla pa sy në ballë. Ai qellonte me pushkë në shenjë duke i rënë vetëm dhjetës. O Zot, sa marrinat e sofizmat propogandoheshin për të vërteta. Njerëzve, kujtonte partia, u kishte vënë trutë e gomarit që të besonin gjithçka.
Punë e mundimshme ishte shkrimi i parullave në faqe malesh. Me qellim, sekretari i partisë na e caktonte vendin e parullës në shpate të thëpisura që të gazepoheshim ne e fëmijët. Duhej rrafshuar vendi, duheshin mbledhur gurët e duheshin lyer me gëlqere shkronjat e parullës. Po atje, në Palush, nuk përdornin “harasan” si i thonin gëlqeres, por botë ( dhé ) me të cilën lyenin faqet e mureve të bëra me gurë e dhé. S’kishte burrë nëne që e bënte të zbardhej, se bota ishte e hirtë. E merrnin fëmijët diku lart në një përrua afër qinamëve.
Pata shkruar me nxënës një parullë: Rroftë PPSh, diku afër shkollës. Për rrezik timin “S”- në, fëmijët e kishin bërë mbrapshtë, si “2”. Unë s’e kisha vënë ore. M’i futën dy këmbët në një këpucë, se, gjoja, e kisha deformuar vetë shkronjën. Të mos ishte Gj. Kaza, sekretari i byrosë, nuk dihej fundi i atij gabimi trashanik.
Shpesh drejtori i shkollës shkonte në mbledhje, por asnjërit prej nesh nuk ia kishte besën, përveç një mësuesi vendali, laraman i hibritizuar, Xh. L. Ai vinte edhe pasditeve në shkollë, gjoja për të ndenjur, por ne e kishim kuptuar qellimin. Ishte shumë i devotshëm për gjithçka. Vuante nga deliri i madhështisë. Shpejt u bë anëtar partie e u ngrit në shkallët e karrierës politike që vetëm sojsorollopi i tij dinte t’i kapërcente mjeshtërisht.
Mëqë këtë kapitull ia kam kushtuar shkatërrimit të institucioneve fetare, po e mbyll me një fjali, shkruar nga një profesor në Universitetin e Shkodrës : “ Viti 1967 do të hyjë në historinë e sotme të Shqiperisë, si vit me zhvillime katastrofike për kulturën shqiptare, ideologjinë shoqërore dhe për prangat shpirtërore që i vuri trurit të kombit.” 15)

  

Në vitin shkollor 1968 – 1969 filluan të vërshonin mësues e mësuese të ardhur nga Jugu në drejtim të zonave malore. Deri në ato vite e kishin pasur rrezik shkodranët, po tash po “shkrihej” në një aliazh e gjithë rinia shqiptare.
Në shkollën tonë erdhën dy mësuese nga Gjirokastra: S. Hashorva e E. Muka. Më vonë sollën edhe një tjetër nga Alibani i Vlorës, O. Hyso. Për hobi, se s’e çante kokën për askënd dhe për t’i treguar masës se partia s’pyeste për fëmijë kuadrosh partie, sollën një “shkinë Vrake”, si u thonë në Shkodër femrave trupmëdha, vajzën e kryetarit të Bashkimeve Profesionale të rrethit të Kukësit me origjinë nga Gjirokastra, V. Xhakollarin. Ajo s’pyeste për mikrokomunistët që gjithë jetën na u gjetën gjak. I fyente me “takt”: “Lani këmishët, se jeni komunistë!
Kaq mjaftonte që t’mos na dukeshin tash e parë te shkolla për t’na “dhënë mend”. Ato vite, në të gjithë fshatrat e lokalitetit vërshuan femra, pse e tek, e dinte partia, po për ne u gjallërua jeta. Në Kalis ishin dy gjirokastrite, Violeta e Vasilika, në Gurr - Kalis, po dy, Lumja e Shpresa nga Tirana etj. Qenë vajza të thjeshta e të shoqërisë. Nuk kam çka flas asgjë për ‘to, veç fjalët më të mira.
Shumë mësues vendas që kishin punuar refuzhio, pa arsim përkatës, u larguan e shkuan në kooperativa bujqësore. Ato vite qenë ngritur kooperativat edhe në malësi. Madje edhe ne mësuesit morëm pjesë në “sqarimin” e fshatarëve për “ të mirat” e punës së përbashkët socialiste.
Në Bushtricë, si qender lokaliteti, filluan të ngrinin baraka pupuliti për artizanat, si: samarxhi, këpucar, berber, rrobaqepës, teneqexhi, baxho qumështi etj. Punonin disa gollobordas që ishin njerëz të dashur e të shoqërisë. Shkonim e rrinim me ta gjithë pasditeve kur kishim kohë, se pjesën më të madhe duhej të dilnim nëpër fshat për të “studiuar” e përmirësuar mënyrën e jetesës.
Baxhaxhiu, një burrë simpatik nga Kukësi, me flokë onde – onde vinte në pranverë. Më vjen keq që ia kam harruar emrin, po kishim përshtypjen më të mirë. Fliste pak. Mësueset e ngacmonin se ishte i pashëm, po ai s’i binte atij krahu. Ishte i martuar. Na jepte burrofresko e llallë shpesh. Ne e ftonim për drekë. Mësueset shpesh i çonin ndonjë ushqim me fasule a mish. Gjirokastritet bënin mirë për të ngrënë, ndërsa ne burrat veç groshë e makarona, s’dinim gjë tjetër të gatuanim. Çdo ushqim e përgatitnim qysh në mbrëmje. S’kishte si sot furrnella me vajguri, po veç stufa që i përdornim për ngrohje. Shpesh na digjej fasulja, se habiteshim. Për të bërë bukë, na jepnin rracion gruri, rreth pesëmbëdhjetë kilogram në muaj për secilin. E merrnim te Fuz Lama. E bluanim te Din Loçi. Nuk na merrte ujem, si fshatarëve. E gatuanim te nëna e H. Lash*t, po, pa ardhur fundi i muajit, na lajmëronte se kishte mbaruar mielli. Atëherë ia rrasnim patate e makarona deri të vinte rracioni tjetër i grurit.
Hë, jetë o jetë, për t’mos ia pasur lakmi askujt! Në ato kushte që jetonim, morali i lartë s’na mungonte. Gjenim forca të ishim optimistë.
Filloi dhe revolucionarizimi i shkollës. Diktatori, përmes veqilave që e rrethonin, shkruante: “ … cilitdo, nxënësve, mësuesve, pedagogëve, popullit, punëtorëve, fshatarëve, të madhit dhe të voglit, Partia duhet t’u mësojë me të gjitha mjetet dhe format, në radhë të parë, marksizëm – leninizmin, shkencën që u ndriçon rrugën të gjitha shkencave.”
Të revolucionarizoje shkollën, nuk ishte një fjalë goje. E gjithë barra e ndryshimeve, për të mos thënë e çoroditjes së shkollës, u takonte mësuesve. Partia porosiste vazhdimisht që gjithçka duhej të kalonte nëpër sitën e ideologjisë komuniste, se ishte objektivi më i lartë i shkollës, “edukimi me idealin komunist të rinisë”. U dhanë udhëzime që të hiqej ujët e tepërt nëpër lëndë të ndryshme, d.m.th të sterelizohej shkenca e të futej ideologjia. Iu dha rëndësi lidhjes së teorisë me praktikën dhe e mësimit me jetën. Nxënësi duhej të merrte që në bankat e shkollës tetë - vjeçare elementet e para të arsimit politeknik. S’kishte gjë se toka punohej me parmendë druri, transporti bëhej me gomer e mushq, kryqëzimi i lopëve me toroç.
Ishte një veteriner me shkollë të lartë që sillej poshtë e lart me një termus me spermë të ardhur nga “Tirana”, por shpesh i prishej, se nuk kishte kushte për ta ruajtur. Çdo gjë ishte shtatanike, e pjekur para kohe. Mendonte partia se fshati ecte me hapin e qytetit. Donte ta shpejtonte ritmin e jetës, po çdo gjë ishte fallco. Ai, veterineri, pjesën më të madhe të kohës e kalonte duke tredhur gomer e kuaj. Aq shumë u hyri fshatarëve në qejf tredhja me dana, sa vërshonin ditë për ditë te veterineri L. Spahiu. Ai s’e çante rrashtën e kresë. I jepnin edhe ndonjë lekë që e shpenzonte me ne. S’kishte vend për kapital, por për mbijetesë.
Kooperativat bujqësore ishin informale në atë shpat mali ku s’kishte as toka, as vaditje, asgjë. Bëheshin eksperimente për mbjellje farërash misri e gruri hibrit me cikël të shkurtër, por kot. S’ di si kanë jetuar ata njerëz të mrekullueshëm që e nxirrnin bukën nga guri. Kënga folklorike këndohej me pasion: “ Tre pëllamb tokë atje në brinjë,/ Tre muaj bukë ma e mira shpi…/, po ku donte t’ia dinte partia që e bënte ujin të shkonte “terma”.
Pati qëlluar që në muajin maj, disa specialistë bujqësie në Tiranë, për t’i dalë punës para, e patën pyetur shefin e bujqësisë, Rr. Palushin se si shkonin punët me mbjelljet e misrit. Shefi, burrë ironik, që i kishte ndërruar tri zyra seksionesh: të arsimit, të sportit e tash të bujqësisë, u qe përgjigjur në telefon: “ E kemi mbjellë gjithë tokën farë të bardhë misri”.
Ata të Tiranës, për ta verifikuar, ishin nisur e kishin ardhur në Kukës, po çfarë të shihninç i gjithë mali e fusha zbardhnin nga bora… Shefi i bujqësisë e pagoi me largim nga zyra e kaloi në gjykatën e rrethit, mëqë kishte mbaruar për jurist.
- Unë e kisha ndarë mendjen, - na shpjegonte Rrahmani kur vinte në Palush për të bërë ”punën fizike”, - çfarëdo pune që t’më caktonin, t’mos e kundërshtoja.
Në pushimet e janarit, pas mbylljes së semestrit të parë, unë Kola, Ndreka e Pjetri shkuam në shtëpi. Ishte viti 1969. Kur u kthyem, humbëm rrugën në Ujmisht a Lusën,nuk më kujtohet, diku afër një mulliri uji. Bora e madhe që kishte rënë dhe që vazhdonte, na çorientoi. Nata pa hënë na e vështirësoi orientimin. Mjegulla e dendur s’linte të dukeshin dritat e mekëta të fshatit që s’ishte larg. Zoti në qiell e ai mulliri ku u strehuam pasi e shkallmuam derën me gurë, na e shpëtuan jetën nga vdekja.
Permendnim vdekjen tragjike të një shokut që kishte kryer shkollën me dy shokët e mij. Ai e pati emrin I. S. Bruçaj. Aktin e tij “heroik”, vdekjen, ashtu si mund të vdisnim edhe ne, partia e trumbetoi me qellim që t’u jepte malet mësuesve të tjerë e me atë rast të zevendësonin njëri – tjetrin. Ismetin e zevendësoi një bashkëfshatar i tij, i cili, të mos ishte ai rast, nuk do të kryente kurrë shkollë të mesme. Madje, falë atij rasti, partia e mori me sy të mirë dhe i dha të drejtë studimi në juridikun e Tiranës. Kujt donte, partia ia shpërblente, kë s’e kishte në qejf, ia treste eshtrat edhe nga varri.
Lufta, pa armë, kundër fesë e zakoneve prapanike, forcohej gjithënjë e më shumë a thua se ato ishin e keqja e prapambetjes së vendit. Lufta brenda llojit zhvillohej e ashpër. Burgosnin njëri – tjetrin kuadrot e shtetit. Mossuksesi në ekonomi, gjente koka turku.
Ato vite diskutohej heqja e notës, se, sipas projektuesve tuafë, ishte diçka mikroborgjeze të pretendoje për notë. “Ne duhet të përgatitemi nga ana ideologjike, për dije, e jo të mësojmë për notë”, - udhëzonin teoricienët e Institutit të Studimeve Pedagogjike në Tiranë.
Notimi në ujra të turbullta, pa rrugëdalje, ishte motua e “ shpikësve “ që esksperimentonin nëpër shkollat e qyteteve. Qellimi dihej. Të justifikonin sorollatjet në qytete, se gjoja merreshim “me shkencë”, madje fitonin tituj shkencorë: “ doktor “, “profesor” etj. me gjithëfarë marrinash që shoqërisë s’i hynë në punë kurrë. “ Turbullo, që të kjartësohet”!14) - propogandohej teoria e Mao Ce Dunit.

Marre prej librit, " Nje jete ne ankth e shprese
" VIJON"...

Call now to connect with business.

Address

Shkodër
1407

Telephone

067 315 32 51

Website

Alerts

Be the first to know and let us send you an email when Krijuesit e Nenshkodres posts news and promotions. Your email address will not be used for any other purpose, and you can unsubscribe at any time.

Contact The Business

Send a message to Krijuesit e Nenshkodres:

Videos

Share